Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Sportit dhe Rinisë i Malit të Zi, Dragosllav Shqekiq, iu drejtua sot pjesëmarrësve të Parlamentit II Rinor, duke theksuar rëndësinë e rolit aktiv të të rinjve në marrjen e vendimeve që formësojnë shoqërinë.
Ai theksoi se politika rinore nuk është vetëm çështje e ligjeve dhe rregulloreve, por edhe hapësirë për ide që ndryshojnë realitetin dhe krijojnë një të ardhme të begatë për Malin e Zi.
“Parlamenti Rinor është simbol i aspiratës sonë të përbashkët drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse në të cilën të rinjtë nuk janë thjesht vëzhgues, por aktorë kryesorë në proceset vendimmarrëse. Sot, ndërsa flasim për ndryshime në Ligjin për të rinjtë, ne po punojmë për të krijuar një shoqëri që i mbështet të rinjtë, i fuqizon ata dhe u mundëson atyre të bëhen nismëtarë të ndryshimeve”, tha ministri.
Ministri vlerësoi veçanërisht punën e Rrjetit për të rinjtë e Malit të Zi dhe organizatave të tjera rinore, duke theksuar kontributin e tyre në formimin e propozimeve konkrete që do të përmirësojnë zbatimin e politikave rinore.
“Propozimet që ju paraqitët jo vetëm trajtojnë problemet kryesore, por ofrojnë edhe zgjidhje konkrete me potencial për të përmirësuar ndjeshëm pozitën e të rinjve. Së bashku po punojmë për një ligj që do të jetë një instrument i gjallë për zhvillimin, fuqizimin dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve në vendimmarrje”, shtoi ai.
Ai shprehu mirënjohjen për të pranishmit e Kuvendit për angazhimin dhe energjinë e tyre.
„Kreativiteti dhe guximi juaj për të njohur sfidat dhe për të ofruar zgjidhje janë ato që e çojnë shoqërinë përpara. Konkluzionet dhe propozimet tuaja do të jenë bazë për punën e mëtejshme të Ministrisë për përmirësimin e politikave rinore”, tha ai.
Ministria e Sportit dhe Rinisë mbetet e përkushtuar për krijimin e një Mali të Zi ku të rinjtë të kenë të gjitha burimet, mbështetjen dhe mundësitë e nevojshme për të realizuar potencialin e tyre të plotë.