KURTI: KAM KOMUNIKIM TË VAZHDUESHËM ME OSMANIN PËR POLITIKËN E JASHTME

Foto: AFP

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të premten se ka komunikim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për politikën e jashtme, pas fjalimit të saj kritikues se marrëdhëniet e vendit me aleatët po vihen në rrezik.

Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve më 21 nëntor, Osmani bëri thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.

I pyetur rreth kësaj deklarate gjatë një ngjarjeje në Podujevë të premten, Kurti tha se “unë vazhdimisht kam qenë në komunikim dhe bashkërendim edhe me presidenten Osmani edhe kryeparlamentarin [Glauk] Konjufca edhe ministren e jashtme [Donika] Gërvalla sa i përket politikës së jashtme”.

“Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdojmë. Nuk ka vështirësi dhe sfida të tilla që nuk i tejkalojmë”, tha Kurti.

Osmani theksoi se aleanca e Kosovës me vendet e tjera “është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha gjatë adresimit të saj se “asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.

SHARE