Foto: Panorama
Presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti në katedralen e famshme e tashmë të rindërtuar të Notre Dame së bashku me një ekip televiziv për t`i treguar botës restaurimin e plotë të saj pesë vjet e gjysmë pas shkatërrimit të saj nga zjarri.
Për publikun e gjerë, katedralja hapet në 7 dhjetor: Atëherë, vizitorët do të mund të shohin nga afër përpjekjet e mëdha të bëra për ta rikthyer atë që konsiderohet si një nga monumentet më simbolike dhe më të vjetra të Parisit sa më pranë gjendjes fillestare.
Pak ditë pasi bota ishte bërë dëshmitare e rrëzimit të kullës më të lartë të Notre Dame gjatë zjarrit të prillit 2019, Macron qe shprehur se Katedralja do të rindërtohej brenda pesë viteve. “Unë po ju them solemnisht sonte: kjo katedrale do të rindërtohet nga ne të gjithë së bashku. Dhe ndoshta është pjesë e fatit të Francës dhe do të jetë projekti ynë për vitet në vijim. Unë jam i përkushtuar për këtë”, deklaroi asokohe ai.
Një përpjekje monumentale për të rikthyer madhështinë e katedrales nisi pothuajse menjëherë pas shuarjes së flakëve. Shumë francezë e pritën me lot në sy momentin e rëndë kur flakët pushtuan dhe rrëzuan kullën e lartë të strukturës së njohur në të gjithë botën.
Më rindërtimin ambicioz u synua rikthimi i veprës historike arkitekturore katolike romake në gjendje fillestare, një vendim i mbështetur edhe nga turistët që vazhdojnë të vijnë ta shohin atë nga jashtë.