SPAJIQ: PORTI I SINGAPORIT ËSHTË I INTERESUAR PËR BASHKËPUNIM ME PORTIN E TIVARIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Porti i së ardhmes i Singaporit, mund të jetë partneri i përsosur për të përfituar më në fund nga potenciali i plotë i Portit të Tivarit.

Kompania (PSA), e cila operon me sukses në 45 shtete, në 179 lokacione, është e interesuar për bashkëpunim, tha sot kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq, i cili ndodhet për një vizitë pune në Singapor.

Procesi i automatizuar në dukje i thjeshtë, por në fakt shumë kompleks është parë edhe nga kryeministri Spajiq, i cili pas një takimi me ministren e Marrëdhënieve Tregtare të Singaporit, Grace Fu, vizitoi portin e Tuas.

Projekti ambicioz synon ta bëjë Tuas, përmes disa fazave, portin më të madh të automatizuar në botë dhe në vetëm një vit ata të kenë rritur kapacitetin me 40%. Përveç kësaj, ata reduktuan emetimin e gazrave të dëmshëm, sepse energjia nga burimet e rinovueshme përdoret për pjesën më të madhe të punës – deri në vitin 2050, ata duan që porti të jetë neutral ndaj karbonit.

Ata janë të interesuar edhe për bashkëpunim me Portin e Tivarit, i cili mund të jetë një qendër e ngjashme për Ballkanin dhe më gjerë.

„Porti në Tivar nuk është valorizuar në mënyrë adekuate, por ka një potencial të madh. Ka një lidhje hekurudhore me vendet e Bashkimit Evropian dhe ne po hyjmë në rindërtimin e asaj infrastrukture me mbështetjen financiare të BE-së. Me ndërtimin e autostradave do të përmirësojmë më tej lidhjen dhe në këtë mënyrë do të mundësojmë shfrytëzimin e plotë të potencialit të portit të Tivarit,“ theksoi kryeministri Spajiq.

Porti në Singapor tërheq ende një numër të madh investimesh të huaja direkte dhe ministrja Fu shpjegoi pse kompanive u pëlqen të bëjnë biznes në vendin e tyre.

“Kompanitë kanë besim në sistemin e Singaporit, se gjithçka këtu bëhet sipas rregullave, se nuk ka korrupsion dhe ky është avantazhi ynë më i madh. Le të themi, nëse doni të bëni biznes në Azinë Juglindore, këtu do të merrni njohuritë dhe udhëzimet se si ta filloni atë, prandaj shumë biznese të mëdha në rajon fillojnë nga Singapori”, theksoi Fu.

Kryeministri Spajiq konkludoi se për shkak të tregut të vogël të brendshëm, Mali i Zi duhet të rrisë edhe numrin e kërkesave të jashtme dhe forcimi i sundimit të ligjit do të ndryshojë imazhin e vendit në sytë e kompanive të besueshme shumëkombëshe.

SHARE