SEKRETARI GJOKAJ MERR PJESË NË PANELIN E MINISTRAVE NË KUADËR TË MANIFESTIMIT “QEVERISJA E GJENERATËS SË ARDHSHME” – SHKUP

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Administratës Publike, Naim Gjokaj, mori pjesë në panelin ministror të titulluar “Lidershipi në Inovacion: Perspektiva ministrore për transformimin e shërbimit publik”, të mbajtur më 27 nëntor 2024 në Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Kjo në kuadër të dialogut të nivelit të lartë “Qeverisja e Gjeneratës së ardhshme: Nxitja e inovacionit të shërbimeve publike në Ballkanin Perëndimor”.

Aktiviteti u organizua nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA). Paneli mblodhi së bashku ministra dhe zyrtarë të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe vizioneve mbi inovacionet kryesore në shërbimet publike.

Në fjalën e tij, Naim Gjokaj theksoi përkushtimin e Malit të Zi për anëtarësimin në BE dhe progresin në kapitullin 10, ku Ministria e Administratës Publike bëri rezultate të rëndësishme duke miratuar Ligjin për Sigurinë e Informacionit dhe rëndësinë e punës paralele për transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike në administratën publike.

Gjokaj prezantoi edhe reformat dhe projektet e suksesshme të Malit të Zi, me fokus të veçantë në digjitalizimin, inteligjencën artificiale dhe forcimin e transparencës dhe efikasitetit të administratës publike.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të praktikave të mira si bazë për forcimin e kapaciteteve administrative në Mal të Zi dhe progresin e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Paneli ministror ishte një pjesë kyçe e dialogut të nivelit të lartë, duke ofruar një platformë për të diskutuar drejtimet strategjike dhe nismat e përbashkëta që synojnë inovacionin në administratën publike.

Në të njëjtin manifestim u organizua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve për institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e organizuar nga ReSPA dhe SIGMA, ku mori pjesë sekretari shtetëror Gjokaj dhe ia ndau çmimin njërit prej fituesve.

SHARE