Përbërja e re e Komisionit Evropian. Foto: Reuters
Parlamenti Evropian miratoi sot ekipin e ri të Komisionit Evropian nën drejtimin e Ursula von der Leyen, presidentes së riemëruar të Komisionit.
Pas një debati mbi ekipin dhe programin e ri të Von der Leyenit, eurodeputetët zgjodhën Kolegjin e Komisionerëve në tërësi me një votim emëror prej 370 votash pro 282 kundër, me 36 abstenime.
Detajet se si ka votuar çdo deputet do të jenë të disponueshme së shpejti nga Parlamenti Evropian në internet dhe në procesverbalin e seancës plenare.
Për t’u konfirmuar, Kolegjit të Komisionerëve i duhej një shumicë e thjeshtë e votave.
Ky shënon mandatin e dytë të Von der Leyenit në krye të komisionit, pas miratimit të komisionit të saj të parë nga eurodeputetët në nëntor 2019.
Komisioni do të marrë detyrën këtë fundjavë, të dielën, më 1 dhjetor.
Para votimit në seancë plenare u zhvillua një debat, në të cilin Ursula von der Leyen paraqiti edhe një herë përbërjen e Komisionit në mandatin e saj të dytë si presidente e ekzekutivit të BE-së.
Gjatë fjalimit, Von der Leyen premtoi se Komisioni do të angazhohet për një Evropë më të fortë, më të sigurt, e cila do të rrisë investimet për mbrojtje dhe do të vazhdojë punën drejt uljes së niveleve të ndotjes së ambientit, si dhe digjitalizimin dhe rritjen e konkurrencës së ekonomisë evropiane në skenën globale.
Ursula von der Leyen në fjalimin e saj tha se vendet kandidate, si ato nga Ballkani Perëndimor, ashtu edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, e kanë vendin në BE.
Shefja e Komisionit Evropian përsëriti se pret nga komisionarja për zgjerim, Marta Kos, që të punojë për ta përgatitur BE-në për zgjerim dhe për t’i ndihmuar vendet kandidate që të avancojnë në procesin e integrimeve evropiane.
Von der Leyen tha se procesi i zgjerimit do të vazhdojë duke respektuar parimin e meritave individuale të vendeve kandidate në procesin e reformave.