Foto: Arkiv / AA
Shqipëria shënon përvjetorin e pestë të tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin më 26 nëntor 2019, duke shkaktuar dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Pas tërmetit shkatërrimtar që u konsiderua një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha në dekadat e fundit në Shqipëri, shumë shtete dhe organizata u mobilizuan dhe angazhuan për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e fatkeqësisë natyrore dhe në procesin e rindërtimit.
Sipas të dhënave që disponon Instituti i Gjeoshkencave i Shqipërisë, Shqipëria është goditur nga disa tërmete shkatërrimtarë në periudhën e 100 viteve të fundit.
Ndër tërmetet më shkatërrimtarë dhe me pasoja të rënda janë regjistruar në vitet 1920, 1960, 1967, 1979 dhe i fundit në vitin 2019, që shkaktuan viktima dhe dëme të mëdha materiale.
Në orën 03:54 të datës 26 nëntor 2019 në Shqipëri u regjistrua një nga tërmetet më shkatërrimtar në dekadat e fundit, me magnitudë 6,3 ballë sipas shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte brenda territorit të Qarkut të Durrësit, 30 kilometra nga Tirana.
Pas tërmetit filloi puna me procesin e rindërtimit, që kaloi në disa faza, ndërsa ky proces u mbështet financiarisht nga Qeveria e Shqipërisë, shtete të ndryshme dhe donatorë dhe organizata kombëtare dhe ndërkombëtare.
Me Shqipërinë gjithashtu u solidarizuan edhe Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Zvicra, Italia, Rumania, Greqia, Franca, SHBA-ja dhe shtete të tjera, si dhe OKB dhe BE me ekipet e tyre të kërkim-shpëtimit, me ndihma dhe me fondet për procesin e rindërtimit të banesave dhe objekteve të tjera.