Foto: AFP
Shefi i diplomacisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “nuk ka asnjë justifikim” për Izraelin që të refuzojë zbatimin e një armëpushimi me Hezbollahun, grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Borrell tha se të gjitha shqetësimet e sigurisë të Izraelit janë adresuar në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.
Zyrtari i lartë evropian bëri thirrje për rritjen e presionit ndaj Izraelit për të mposhtur linjën ekstremiste brenda Qeverisë izraelite të cilët po refuzojnë që ta pranojnë marrëveshjen.
Duke folur në margjinat e takimit të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) në Itali, Borrell paralajmëroi se nëse marrëveshja për armëpushim nuk zbatohet “Libani do të shpërbëhet”.
Zyrtarët izraelitë thanë se kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, do të mblidhet më 26 nëntor për të diskutuar për armëpushimin e propozuar.
Në mesin e çështjeve që mbesin të pazgjidhura është një kërkesë e Izraelit për të rezervuar të drejtën për të vepruar nëse Hezbollahu shkel obligimet nga marrëveshja e re.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Borrell tha se SHBA-ja do ta udhëhiqte komitetin për zbatimin e armëpushimit, por Franca do të merrte pjesë në të me kërkesën e Libanit.
“Në marrëveshjen e propozuar, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Franca, Izraeli i ka të adresuara të gjitha shqetësimet e sigurisë. Nuk ka asnjë justifikim për moszbatimin e një armëpushimi”, tha Borrell për gazetarët.