MILLATOVIQ: TË VENDOSEN DËNIME PENALE PËR KORRUPSIONIN NË SHËNDETËSI, I CILI ËSHTË NË NIVEL SHQETËSUES

Foto: Kabineti  i Presidentit të Malit të Zi / Kabinet predsjednika Crne Gore

Rrënja e problemit me të cilin ballafaqohen qytetarët e Malit të Zi në lidhje me kujdesin shpeshherë joadekuat shëndetësor është pikërisht korrupsioni në sistemin shëndetësor, ka vlerësuar presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Ai tha se është e rëndësishme të flitet për këtë temë, e cila është me rëndësi kyçe për shoqërinë tonë.

“Kujdesi shëndetësor duhet të përfaqësojë një shtyllë bazë të barazisë sociale, një vend ku çdo qytetar, pavarësisht gjendjes financiare, mund të ushtrojë të drejtën për kujdes shëndetësor cilësor. Fatkeqësisht, në vend të kësaj, ka shumë qytetarë tanë që janë dëshmitarë të veprimeve korruptive në shëndetësi – që nga dhënia e ryshfetit për trajtim më të shpejtë apo më të mirë, deri te parregullsitë në prokurimin publik të pajisjeve mjekësore dhe barnave që maten në miliona euro. Kjo është arsyeja pse korrupsioni në shëndetësi nuk është një problem abstrakt në Mal të Zi. Të përdorim fjalorin mjekësor, është sëmundje e sistemit tonë, kërcënim për shëndetin e kombit dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave themelore të njeriut”, tha Millatoviq.  

Ai theksoi se, për të pasur një kujdes më të mirë shëndetësor, si shoqëri duhet të luftojmë korrupsionin në sistemin shëndetësor.

„Gjithashtu, shteti duhet të merret pa kriter me diploma false në shëndetësi, por edhe me përzgjedhje negative për punësim dhe ngritje në detyrë. Që të arrijmë progres, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ushtrojmë presion të vazhdueshëm ndaj vendimmarrësve që të zbatojnë masat kundër korrupsionit në praktikë”, theksoi presidenti i Malit të Zi.

SHARE