Abuzim. Foto: Diodam10 në Canva
Deri në 70 për qind e grave vuajnë nga dhuna seksuale, fizike ose psikike të paktën një herë në jetën e tyre, thotë OKB.
25 nëntori konsiderohet si ditë aksioni kundër dhunës ndaj grave dhe kërkon të tërheqë vëmendjen kudo në botë për dhunën ndaj tyre.
Qëllimi është denoncimi i dhunës në familje, si edhe dhuna kundër gruas në luftëra apo kur janë në arrati.
Të dhënat e Kombeve të Bashkuara tregojnë gjatë 2022-shit, 48.800 gra humbën jetën prej një dhune të tillë.
Edhe në një vend të zhvilluar si Gjermania llogaritet që gati çdo ditë një grua vritet nga partneri, sipas autoriteteve. Çdo tre minuta një grua apo një vajzë përjeton dhunë.
“Dhuna ndaj grave na prek të gjithëve. Ne shohim një femicid në Gjermani pothuajse çdo ditë. Çdo tre minuta një grua apo vajzë në Gjermani përjeton dhunë në familje. Çdo ditë më shumë se 140 gra dhe vajza në Gjermani bëhen viktima të një krimi seksual. Ato bëhen viktima sepse janë gra. Kjo është e padurueshme – dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm,” u shpreh ministrja gjermane e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser gjatë prezantimit të raportit të situatës aktuale nga Zyra Federale e Kriminalistikës.
Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj gruas u thirr për herë të parë në vitin 1981 nga gratë në Karaibe dhe Amerikën Jugore.
Gratë përkujtuan me këtë ditë tre motra që jetonin në Republikën Domenikane, të cilat u rrëmbyen, përdhunuan dhe u vranë. Patricia, Minerva dhe Maria Teresa Mirabal vdiqën më 25 nëntor 1960 nga dhuna e ushtarëve të regjimit famëkeq Trujillo, i njohur si regjim diktatorial dhe brutal.
Në vitin 1999 kjo ditë aksioni u njoh zyrtarisht nga OKB.
Në deklaratat ndërkombëtare dhuna ndaj gruas sot klasifikohet si shkelje e të drejtave të njeriut.