Ambasadori i Norvegjisë në Podgoricë, Arne Sanes Bjornstad, gjatë takimit me Kryeministrin e Malit të Zi Dushko Markoviq, deklaroi se në vitin e ardhshëm, qeveria e Norvegjisë do të vazhdojë dhe do të dyfishojë vëllimin e mbështetjes financiare dypalëshe për Malin e Zi, me fokus të veçantë në zhvillimin socio-ekonomik.
Siç raportohet nga Shërbimi i Marrëdhënieve me Publikun i Qeverisë së MZ, bashkëbiseduesit theksuan se janë të kënaqur me projektet dhe programet e realizuara deri me tani.
“Bjornstad konfirmoi se do të vazhdojë dhe do të dyfishojë vëllimin e mbështetjes financiare dypalëshe për Malin e Zi, në vitin e ardhshëm, me fokus të veçantë në zhvillimin socio-ekonomik, si dhe obligimet tjera nga integrimet evropiane dhe zbatimin e reformave kyçe, duke konfirmuar kështu mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë për Malin e Zi dhe Ballkanin Perëndimor”, thuhet në kumtesë nga Qeveria e MZ.
Në këtë takim po ashtu u konstatua se Mali i Zi dhe Norvegjia realizuan bashkëpunim bilateral të zhvilluar, i cili fitoi një cilësi të re nëpërmjet partneritetit brenda NATO-s.
Markoviq, e informoi mysafirin për rezultatet e suksesshme të vitit të kaluar në planin ekonomik si dhe në arritjen e prioriteteve në integrimin në BE dhe falënderoi Norvegjinë për mbështetje që i ka dhënë Malit të Zi, veçanërisht nëpërmjet programit bilateral të mbështetjes financiare që ndjek prioritetet e shtetit dhe zhvillimin e saj dhe njoftimin e mbështetjes së vazhdueshme për këtë vit.