Foto: Zyra e Kryeministrit
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e dytë të tyre kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Prishtinë, raporton Anadolu.
Pas mbledhjes së përfaqësuesve qeveritarë, u bë e ditur se marrëveshjet janë në fushën e energjisë, në arsim si dhe një për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të dy vendeve, por janë diskutuar edhe një gamë më e gjerë çështjesh.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me homologun maqedonas Hristijan Mickoski, tha se marrëveshja e parë ka të bëjë me lehtësimin e lëvizjes së lirë, me vetëm një ndalesë për qytetarët e të dyja shteteve në pika kufitare.
Kurti tha se do të rritet vëllimi i shkëmbimit të informacioneve, në mënyrë që të rritet edhe siguria në kufi.
“Protokolli për zbatimin e marrëveshjes për pikat e përbashkëta të kalimit kufitarë Hani i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboçicë e cila vjen pas shumë kohe. Ky model kontrolli kufitar bëhet vetëm hyrje-hyrje dhe zyrtarët policorë punojnë në të njëjtën ndërtesë duke lehtësuar kalimin kufitar rrjedhimisht duke shkurtuar kohën e pritjes në mënyrë që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve”, theksoi Kurti.
Ai tha se marrëveshja dytë ishte memorandumi në sektorin e energjisë, ku ministritë përkatëse do të angazhohen të adresojnë sfidat e përbashkëta dhe shkëmbimit të energjisë elektrike, për të siguruar kosto më të përballueshme për qytetarët.
Marrëveshja e tretë, siç tha Kurti, është memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e arsimit, i fokusuar në arsimin dhe aftësimin profesional dhe në arsimin e të rriturve.
Gjatë konferencës së dy kryeministrave u vlerësua edhe shkëmbimi i lartë tregtar midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku vetëm gjatë vitit të kaluar ka pasur rreth 423 milionë euro.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se synimi i të dyja shteteve është që të arrihet në gjysmë-miliard euro shkëmbime tregtare për këtë vit.
“Detyra jonë e përbashkët është që shkëmbimin tregtar ta rrisim mbi gjysmë-miliardë euro është diçka për të cilën duhet të synojmë bashkërisht. Është logjike nëse kemi qasje të përbashkët në tregjet e treta do të jemi më atraktiv. Meqë, sigurisht se bashkë jemi më të fuqishëm, kur do të kemi qasje në tregjet e treta. Edhe Kosova edhe Maqedonia e Veriut janë vende që nuk kanë dalje në det, por, kemi një përparësi gjeografike meqë jemi udhëkryq i dy korridoreve të rëndësishëm, korridori 8-të dhe korridori 10-të”, theksoi Mickoski.
Ai tha se palët diskutuan edhe për rëndësinë e integrimit euroatlantik, ku shtoi se janë të bindur që “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”.
Kryeministri maqedonas tha se Ballkani tepër gjatë ishte një vend që mbushte kronikat e zeza të publikut evropian dhe botëror dhe “shpenzoi shumë kohë në çështje politike duke neglizhuar çështje të jetës reale të qytetarëve”.
Dy kryeministrat thanë se në takimet e përbashkëta është diskutuar edhe çështja e rrugës së përbashkët Tetovë-Prizren, ku pala kosovare shprehu interesim që kjo çështje të kryhet sa më shpejtë.
Kjo është mbledhja e dytë midis dy qeverive të vendeve ndërsa mbledhja e parë ndërqeveritare u mbajt në shtator të vitit 2021 në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.