RAMA: BUXHETI I RI ËSHTË PASQYRA E NJË DEKADE ARRITJESH DOMETHËNËSE PËR SHQIPËRINË

Foto: Olsi Shehu / AA

Kuvendi i Shqipërisë ka filluar seancën rreth prezantimit dhe diskutimeve për Projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”, ndërkohë seanca parlamentare nisi me debate.

Në hapje të seancës disa nga deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike (PD) ndërprenë fjalën e kryeministrit Edi Rama duke u ngritur në këmbë, ndërsa më pas seanca vijoi me prezantimet e ministrave dhe deputetëve.

Deputetët e opozitës gjithashtu për disa minuta tentuan të ndërpresin edhe fjalën e ministrit të Financave, Petrit Malaj, duke qëndruar pranë foltores.

Kryeministri Rama në fjalën e tij në seancë tha se buxheti i ri që do të votojnë në vazhdim është pasqyra e një dekade arritjesh domethënëse për Shqipërinë.

“Kur e kam paraqitur buxhetin e parë të shumicës sonë qeverisëse në këtë sallë, e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar janë ato që patë në fillim të fjalës sime, njësoj. I gjithë fondi në dispozicion të shtetit për shërbimet e përgjithshme publike ishte 3,2 miliardë euro. Në buxhetin 2025 është 8,2 miliardë euro, pra është gati trefish”, tha Rama.

Kryeministri Rama ka theksuar se Shqipëria që “duam nuk është më një realitet i ëndërruar dhe i padukshëm në horizont, por është një destinacion i prekshëm me sy”.

“Shqipëria që ne duam po bëhet, hap pas hapi, shkallë pas shkalle. Ne po e ngjisim Shqipërinë në majën e 2030 aty ku gjendet oborri i familjes së bashkuar evropiane dhe ku flamuri ynë kombëtar do të rreshtohet krah për krah flamujve të Evropës, për të cilën ëndërruan breza të tërë shqiptarësh”, tha Rama.

Projektbuxheti për vitin 2025 paraprakisht planifikohet të jetë në vlerën 8,2 miliardë euro, ndërkohë partitë opozitare e kundërshtojnë pasi sipas tyre është “kundër qytetarëve”.

Pas diskutimeve në seancë plenare Projektligji “Për buxhetin e vitit 2025”, do të votohet në vazhdim në parim dhe në tërësi.

Sipas autoriteteve shqiptare, projektbuxheti i vitit 2025 mbështet zhvillimin ekonomik dhe social të vendit si dhe reformat e nevojshme për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

SHARE