Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me homologen e tij, Elisa Spiropali.
Në takimin Spiropali-Gashi të realizuar në selinë e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ishin në fokus çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, bashkëpunimit mes dy kuvendeve, integrimi evropian dhe çështje të tjera.
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se Spiropali ka nënvizuar se vizita e Gashit dëshmon bashkëpunimin e ngushtë dhe intensiv mes dy kuvendeve.
Gjithashtu theksohet se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të sigurt në rajon.
“Shqipëria synon që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në 2030 dhe kjo datë është një objektiv ambicioz, por i realizueshëm. Ky moment pozitiv për Shqipërinë duhet parë me pozitivitet nga i gjithë rajoni. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces i bazuar në merita, zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve të BE-së dhe jo nga faktorë a rrethana të tjera. Çështjet bilaterale mes vendeve kandidate dhe anëtare të BE-së nuk duhet të bëhen pengesë në procesin e anëtarësimit”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se Shqipëria shpreson që Maqedonia e Veriut të zhvillojë sa më shpejt Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE-në dhe shtohet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të angazhuara fuqimisht në nismat rajonale.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut jetik në qeverisje dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe kanë rol vendimtar në proceset euroatlantike dhe ruajtjen e orientimit të vendit drejt perëndimit dhe vlerave perëndimore, kaq shumë i rëndësishëm sidomos në kushtet aktuale të zhvillimeve gjeopolitike në Evropë dhe më gjerë”, theksohet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve i shërben kohezionit, mirëkuptimit dhe integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Ne inkurajojmë një klimë më të favorshme të bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve të bizneseve shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Korridori VIII është shumë më tepër se një projekt infrastrukturor, është një projekt i madh strategjik, një mekanizëm zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon dhe më gjerë”, thekson njoftimi.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se gjatë bisedës u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, social dhe kulturor.