MILLATOVIQ NË BUDAPEST: BALLKANI PERËNDIMOR KA NEVOJË PËR MË SHUMË INVESTIME

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, po merr pjesë në samitin e pestë të Komunitetit Politik Evropian, i cili po mbahet në Budapest, nikoqir i të cilit është kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, njoftoi Kabineti i Presidentit të Malit të Zi.

Në samit, Millatoviq theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv kyç për Malin e Zi.

“Ne jetojmë në kohë sfiduese, por besoj se, me unitet dhe një përkushtim të palëkundur ndaj parimeve tona të përbashkëta, Evropa mund të përballet me të gjitha sfidat. Në këtë fazë të negociatave, Mali i Zi vepron sikur tashmë është anëtar i Bashkimit, duke harmonizuar plotësisht politikën e tij të jashtme dhe të sigurisë me BE-në”, tha Millatoviq.

Ai iu referua sfidave serioze me të cilat përballet Evropa, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, pasigurinë energjetike dhe varësinë ekonomike.

Ai theksoi veçanërisht rëndësinë e forcimit të infrastrukturës digjitale dhe energjetike, duke kujtuar projektin për të dyfishuar kapacitetin e kabllove elektrike me Italinë, gjë që e bën Malin e Zi një partner të rëndësishëm energjetik në rajon.

Presidenti i Malit të Zi vlerësoi Planin e Rritjes si një shembull të mirë për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike, por paralajmëroi se procesi i demokratizimit dhe forcimit të institucioneve duhet të shkojë paralelisht me zhvillimin ekonomik në atë rrugë.

“Nuk duhet të harrojmë se rritja e qëndrueshme kërkon institucione të qëndrueshme dhe të forta që do të jenë në gjendje të mbështesin zhvillimin afatgjatë. Ne besojmë se Evropa është më e fortë dhe më e lidhur kur infrastruktura jonë është në përputhje me standardet e përbashkëta dhe qëllimet strategjike. Korridoret e reja të transportit duhet të zhvillohen përmes marrëveshjeve të ndërsjella që respektojnë interesat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse BE-ja dhe vendet tona nuk e bëjnë prioritet, pashmangshmërisht do të ndërhyjnë edhe vendet e treta”, ka thënë Millatoviq.

Ai i bëri thirrje BE-së që të investojë më shumë në Ballkanin Perëndimor.

“Evropa ka nevojë për ata që ndajnë vlerat e saj, dhe Ballkani Perëndimor ka nevojë për investime më të forta evropiane”, përfundoi Millatoviq.

SHARE