DUKAJ: MIRATIMI I LIGJIT PËR SIGURINË KIBERNETIKE DO TË JETË NJË HAP I MADH PËRPARA

Aplikimi i zgjidhjeve ligjore të avancuara dhe kërkuese në sigurinë kibernetike do të jetë një sfidë, por edhe një mundësi për Ministrinë e Administratës Publike dhe Qeverinë që të dëshmojnë se Mali i Zi e meriton të jetë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian (BE), tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

Në hapjen e konferencës së pestë rajonale të sigurisë kibernetike – “Bashkëpunimi ndërkombëtar në mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, ai prezantoi hapat kyç të ndërmarrë nga Ministria e Administratës Publike dhe Qeveria në forcimin e sigurisë së informacionit dhe mbrojtjen e sistemeve shtetërore nga kërcënimet kibernetike.

“Pas sulmit kibernetik në gusht 2022, ne zgjodhëm rrugën më të vështirë, por edhe të vetmen korrekte, filluam nga themeli për të ndërtuar një sistem të ri të fuqishëm të mbrojtjes kibernetike”, tha Dukaj.

Ai theksoi se miratimi i Ligjit për Sigurinë e Informacionit do të jetë një hap i madh përpara, sepse Mali i Zi do të qëndrojë në krah të vendeve të avancuara të BE-së në fushën e sigurisë kibernetike dhe do të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të transpozojë direktivën NIS2 në legjislacionin kombëtar.

Siç shtoi ai, programi i Agjendës së Reformës në fushën e digjitalizimit dhe agjendës së gjelbër parashikon një seksion të veçantë për sigurinë kibernetike për tre vitet e ardhshme.

Dukaj tha se ngritja e vetëdijes, higjiena kibernetike, edukimi, trajnimet e specializuara, trajnimi i punonjësve janë disa nga aktivitetet për të cilat po punohet çdo ditë.

“Deri në fund të këtij muaji do të promovojmë mjetin digjital për Akademinë Kibernetike që po e zhvillojmë me mbështetjen e USAID-it”, tha Dukaj duke shtuar se Qendra e Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor, të cilën po e implementojmë me Francën dhe Slloveninë, do të hapet zyrtarisht në dhjetor.  

SHARE