NË MAL TË ZI KA DERI NË 300 FËMIJË ME DIABET TIP 1

Vlerësohet se në Mal të Zi ka 270 deri në 300 fëmijë me diabet të tipit 1, të cilët janë më të rinj se 18 vjeç.

Mesatarisht, në vit regjistrohen nga 20 deri në 30 raste të reja, tha në emisionin “Link” të Radio Malit të Zi dr. Jellena Jovoviq, pediatre dhe endokrinologe në Institutin për sëmundje të fëmijëve.

“Prindërit duhet t’i kushtojnë vëmendje simptomave të caktuara, si urinimi i shpeshtë dhe etja e shtuar, si dhe humbja e peshës dhe dobësia”, paralajmëroi Jovoviq.

Kryetari i Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve me Diabet Beta, dr. Nebojsha Gulliq, theksoi rëndësinë e kontrollit të rregullt të sheqerit.

“Falë teknologjive moderne, veçanërisht sensorëve për matjen e vazhdueshme të sheqerit, është shumë më e lehtë për fëmijët. Ata nuk vuajnë nga dhimbjet sepse shmangin 3000 shpime gishtash në vit. Celulari i fëmijës është i lidhur me sensorin, ndaj jo vetëm fëmija merr alarme për vlera të ulëta dhe të larta të sheqerit, por edhe prindi, i cili mund të reagojë saktë në atë moment. Ai mund të thërrasë mësuesin dhe edukatorin për të ndërmarrë veprime dhe për të parandaluar që te fëmija të zhvillohet një problem”, tha Gulliq.

Sipas Gulliqit, një telefon celular te një pacient që ka diabet të tipit 1 dhe ka një sensor është një pajisje mjekësore që e mban atë fëmijë të sigurt.

SHARE