Në Prishtinë është lansuar raporti i UNICEF-it “Analizë mbi gjendjen klimatike për fëmijët”.
Në lansimin e këtij raporti ku mori pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me përfaqësues të organizatave dhe aktivistë që merren me ambientin, u shpalos edhe një raport i cili hedh dritë mbi mënyrën se si ndryshimet klimatike, sfidat mjedisore dhe energjetike ndikojnë në të drejtat e fëmijëve si dhe qasjen në shërbimet jetike në Kosovë, përfshirë shëndetin, arsimin dhe sanitarinë.
Sipas raportit të publikuar, mjedisi dhe ndryshimet klimatike përbëjnë tre nga pesë faktorët kryesorë që rrezikojnë shëndetin nga sëmundjet e ndryshme tek fëmijët nën 5-vjeç në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e saj, presidentja Osmani tha se rreth 23 për qind e fëmijëve në Kosovë, jetojnë nën kufirin kombëtar të varfërisë gjë që ajo tha se ndikon në qasjen në ujë të pijshëm, strehim adekuat dhe energji të pastër por edhe shërbime tjera thelbësore.
“Verat tona po bëhen më të nxehta, dimrat më të paparashikueshëm dhe frekuenca e thatësirave por edhe përmbytjeve sa vjen e rritet dhe po i shohim viktimat gjithandej në rajon dhe në kontinentin tonë. Numri zjarreve në pyje po shtohet, përderisa ajri që thithim cilësohet si një ndër më të ndoturit në Evropë, por edhe në nivel botëror”, theksoi Osmani.
Osmani shtoi se si rezultat i rritjes së vazhdueshme të temperaturave, miliona fëmijë do të përballen në mbarë botën me kequshqyerje për shkak të ndikimit klimatik edhe në kulturat bujqësore.
Cilësia e ajrit në Kosovë është ndër më të këqijat në Evropë, me më shumë se 25 herë sesa kufiri i sigurt i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për fëmijët.