AMERIKANËT ZGJEDHIN MES HARRISIT DHE TRUMPIT

Amerikanët votojnë për zgjedhjet historike presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtetet kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe zv.presidentes demokrate, Kamala Harris.

Qendrat e votimit nisin të hapen nga ora 05:00 (11:00 sipas orës sonë) në disa shtete lindore dhe votimet do të vazhdojnë në mbarë vendin, përfshirë Alaskën dhe Havain, deri në orët e mbrëmjes në shtetet që gjenden në perëndim të Shteteve të Bashkuara.

Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të mësohet për ditë të tëra në disa shtete si Pensilvania, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadaltë.

Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, sipas Byrosë së Regjistrimit.

Trump po garon për herë të tretë, pasi humbi zgjedhjet më 2020 ndaj presidentit aktual, Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në korrik pasi sondazhet treguan se ai kishte pasur një paraqitje të dobët gjatë debatit me Trumpin dhe kishte shqetësime lidhur me moshën e tij.

Zëvendësimi i tij nga radhët e demokratëve, Harris, nëse zgjidhet do të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore.

Trump do të bëhej presidenti i dytë në histori që do të fitonte mandat presidencial në mënyrë jo të njëpasnjëshme.

I vetmi president që e kishte bërë këtë ishte Grover Cleveland, në fund të shekullit 19-të.

Harris, 60-vjeçare, e ka paraqitur veten si ndryshim brezash nga Bideni, 81 vjeç, dhe Trumpi 78 vjeç.

Ajo e ka cilësuar Trumpin si rrezik për demokracinë dhe ka përmendur rolin e tij në sulmin e 6 janarit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan dhe refuzimit që të pranojë humbjen nga Bideni më 2020.

Trump ka përdorur thirrjet e tij populiste për të përçuar mesazhin se gjatë mandatit të dytë ai do të bëjë më shumë për të përmirësuar ekonominë, për të frenuar valën e migrantëve që hyjnë në SHBA dhe ka thënë se do të ishte më i ashpër kundër kundërshtarëve të vendit, si Kina.

Rezultati i zgjedhjeve amerikane mund të prekë Ukrainën më shumë se çdo vend tjetër i huaj.

Dy kandidatët presidencialë kanë tentuar që në ditët e fundit të fushatës të fitojnë sa më shumë mbështetje dhe secili prej tyre e kanë portretizuar veten si vendimtar për të ardhmen e Amerikës.

Sipas sistemit amerikan, nuk është vota popullore ajo që përcakton se kush do të jetë president, por Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh, në të cilin secili shtet ka një numër të përcaktuar paraprakisht të zgjedhësve, që është numër i barabartë me numrin e përfaqësuesve që shtetet kanë në Kongres.

Çdo shtet, me përjashtim të Nebraskës dhe Mejnin, ua japin votat në Kolegjin Zgjedhor kandidatit që ka më së shumti vota popullore në shtetin përkatës.

Nëse Harris dhe Trump dështojnë të arrijnë shumicën prej 270 votash në Kolegjin Zgjedhor, Dhoma e re e Përfaqësuesve në janar do të zgjedhë presidentin dhe Senati i ri po ashtu do të zgjedhë nënpresidentin.

Më shumë se 77 milionë votues veçse kanë votuar, por zgjedhjet e 5 nëntorit do të jenë test kritik se cili kandidat ka bërë punë më të mirë për të bindur mbështetësit e tyre që të votojnë.

Harris ka votuar tashmë përmes postës.

Trump planifikon të votojë në Florida në ditën e zgjedhjeve.

SHARE