Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq në konferencën e sotme për media tha se çmimi i rrymës nuk do të rritet për shkak të „Evropa Tani 2“.
Në fillim të prezantimit, Spajiq tha se disa sektorë në administratën publike tashmë kanë marrë rritje mujore sot.
“Në më pak se katër vite kemi ardhur në një situatë që paga minimale është tre-katër herë më e lartë, kurse paga mesatare është 1000 euro. Është një arritje e padiskutueshme. Po e mbyllim edhe hendekun që kishim me vendet e BE-së”, tha ai.
Ai po ashtu tha se pret rritje shtesë të pagave dhe më shumë masa që do t’i zbatojë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Lajme të mira i presin qytetarët tanë. „Evropa Tani 2“ është vetëm fillimi dhe një volant për ekonominë tonë dhe standardin e qytetarëve dhe ne nuk po ndalemi këtu,” tha ai.
Ai iu referua edhe rritjes së pensioneve minimale.
“Nga janari i vitit të ardhshëm, pikërisht për shkak të rregullimit të jashtëzakonshëm dhe rritjes së të ardhurave bruto që do të ndodhë tashmë këtë muaj, do të kemi rritje të pensioneve për të gjithë pensionistët që nuk kanë marrë rritje në janar 2024. Mendojmë se pensionet mesatare në janar të vitit të ardhshëm do të jenë gati 600 euro”, theksoi Spajiq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryeministri tha se sa i përket orarit të punës prej shtatë orësh është në horizont një zgjidhje e re dhe për këtë, siç thotë ai, do të diskutojë në periudhën e ardhshme.