Në Mal të Zi çdo vit regjistrohen mesatarisht 13 raste të limfomës Hodgkin, sëmundje malinje e indit limfatik, tha doktoresha Ivana Miketiq, hematologe në Qendrën Klinike.
Së shpejti kjo sëmundje do të trajtohet me transplantim të palcës kockore në vendin tonë, e cila mund të mundësojë shërimin e plotë. Kjo lloj sëmundje malinje, siç theksoi Miketiq, mund të jetë i ngadalshëm, por edhe shumë agresiv.
“Më shpesh paraqiten si nyje limfatike të zmadhuara në qafë, në ijë dhe në sqetull, kur diagnoza është e thjeshtë. Ndonjëherë sëmundja është e pranishme në gjoks, stomak ose bark. Simptomat që pacientët nuk duhet t’i injorojnë janë djersitjet gjatë natës, pafuqia, humbja e peshës, e cila është më domethënëse, si dhe rritja e temperaturës së trupit pa ndonjë shkak inflamator”, thotë Miketiq.
Përveç simptomave të lartpërmendura, ajo shton se pacientët duhet të lajmërohen te mjeku nëse vërejnë zmadhime në qafë, ijë apo sqetull dhe se këto ndryshime janë zakonisht të vështira, pa dhimbje dhe shpesh të vështira për t’u lëvizur.
Ajo vë në dukje se çfarëdo lloj limfome që të jetë, pak a shumë agresive, gjëja më e rëndësishme është të arrihet një diagnozë sa më shpejt dhe të fillohet trajtimi.
“Kemi dhjetëra lloje të limfomave dhe secila është një histori më vete si në aspektin e terapisë ashtu edhe në atë të parashikimeve. Pra kur përballet me diagnozën nuk duhet humbur shpresa, sepse shumë limfoma janë plotësisht të shërueshme, sot tashmë mund të thuhet se është një sëmundje kronike, e cila mund të mbahet nën kontroll me vite të tëra”, thekson doktoresha Miketiq.