Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav thotë se Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se Asociacioni është një nga marrëveshjet e dialogut që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në 2013 dhe duhet të krijohet pa vonesa.
Orav: “Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit. Gjatë këtyre viteve kur Kosova dhe Serbia po negociojnë në këtë proces dialogu, janë arritur disa marrëveshje, dhe Asociacioni është një prej tyre. Mendoj se vetëm një marrëveshje është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës me shumicë prej dy të tretash të votave. Dhe është një detyrim ligjor krijimi i tij.”
Orav tha se një gjë e tillë theksohet edhe në Raportin për Kosovën, ndërsa thotë se është e domosdoshme që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.
Orav: “Kosova dhe Serbia të zbatojnë detyrimet nga marrëveshjet e dialogut. Nuk është vetëm raporti i këtij viti që merret me dialogun por edhe raporti i mëparshëm, sepse fillimisht Serbia dhe Kosova janë pajtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe Bashkimi Evropian në mënyrë aktive e ndërmjetëson këtë proces. Kështu që ka shumë më tepër që duhet bërë, dhe kaq shumë nga këto detyrime janë marrëveshje reciproke që duhet të zbatohen Duke folur për të ardhmen e dialogut.”
Orav thotë se dinamika e këtij procesi mbetet të shihet pas konstituimit të strukturave të reja në Bashkimin Evropian.