SHKARKON PROKURORIN E PËRGJITHSHËM / ZELENSKI FIRMOS DEKRETIN, HETIME PËR KORRUPSION

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, ka shkarkuar zyrtarisht prokurorin e Përgjithshëm, Andriy Kostin, pasi hetimet zbuluan se shumë zyrtarë qeveritarë dyshohet se e shmangën shërbimin ushtarak duke pretenduar në mënyrë të rreme se ishin me aftësi të kufizuara.

Zelensky nënshkroi të enjten dekretin për shkarkimin e tij, pasi Parlamenti i Ukrainës kishte votuar në favor dy ditë më parë.

Kostin kishte thënë më herët se do të jepte dorëheqje për të marrë përgjegjësi politike, pas fillimit të hetimeve për korrupsion dhe për dyshimet se zyrtarët kishin shfrytëzuar hendeqe ligjore për të shmangur thirrjen në ushtri.

Hetimet rishtazi gjetën se disa prokurorë publikë në rajonin perëndimor të Ukrainës, Hmelnitski, kishin lëshuar në mënyrë të parregullt dokumente që vërtetonin statusin e personave me aftësi të kufizuar.

Kjo u kishte mundësuar atyre të merrnin benefite të veçanta nga shteti dhe të shmangnin shërbimin në ushtri njëkohësisht.

Ky skandal ka nxitur kritika të mëdha në vend si edhe thirrje për hetime në gjithë vendin, në një kohë kur Ukraina ka vështirësi të zmbrapsë forcat ruse.

Pas njoftimit të Kostin për dorëheqje, kryeministri ukrainas Denys Shmyhal njoftoi se kishte shkarkuar disa zyrtarë të lartë të përfshirë në këtë skandal.

Çështja e thirrjes në ushtri është bërë e ndjeshme në Ukrainë, pasi ushtria ukrainase po përballet me sfida të mëdha, sidomos me pakësim të numrit të trupave si pasojë e luftimeve.

Rekrutuesit ushtarakë shfaqen shpesh nëpër evente publike për të vëzhguar nëse është duke u zbatuar ligji kontrovers për mobilizimin.

Zelenski vetë e ka pranuar se ushtria ukrainase përballet me rrethana “shumë, shumë të vështira”.

SHARE