KURTI: UNË S’MUND TË THEMELOJ ASOCIACION TË KOMUNAVE SI KRYEMINISTËR

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se ai, si kryeministër i vendit, nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është ndër kërkesat kryesore ndaj Kosovës sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes saj dhe Serbisë.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Kurti tha se ai, megjithatë, kishte shprehur gatishmëri ta nënshkruante një draft-statut për Asociacionin në mars 2023 në Ohër, kur Kosova dhe Serbia kishin arritur pajtueshmëri për aneksin e Marrëveshjes Bazë.

“Unë kam ofruar ta shkruaj draft-statutin më 18 mars 2023 në Ohër, por jam refuzuar. Por, në anën tjetri, më lejoni të theksoj se jam kryeministër i republikës demokratike. Meqë Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione komunash”, tha Kurti.

“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen e bashkëpunojnë. Ju e dini se ne tashmë e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë ai duhet të vijë nga dikush tjetër. Nëse kryeministri do ta themelonte atë, asociacioni do të ishte imponim ndaj komunave”, theksoi ai.

Ai nguli këmbë se themelimi i asociacionit duhet të jetë zgjedhje “e lirë dhe e drejtë”

“Dhe, këtë s’e bëj unë, e aq më pak një shtet fqinj”, tha Kurti duke iu referuar Serbisë.

SHARE