KURTI: BUXHETI PËR VITIN 2025 ËSHTË 3.6 MILIARDË EURO

Kryeministri Albin Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se buxheti për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro.

“Të hyrat buxhetore të projektuara janë 3.3 miliardë euro, kjo është për 90% më e lartë sesa niveli në vitin 2020 para qeverisjes sonë. Nëse e krahasojmë me vitin parapandemik është 74% më e lartë. Për vitin 2025 buxheti i planifikuar për shpenzim është mbi 3.6 miliardë euro, që krahasuar me vitin 2020 është për 60% më i lartë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka potencuar se rritja e bruto produktit do të rezultojë me tejkalim të shifrës prej 10 miliardë euro. Sipas tij pritshmëritë për vitin e ardhshëm janë që të shkojë mbi 11 miliardë euro.

Kryeministri theksoi se rritja e të hyrave buxhetore është ndikuar nga luftimi i kontrabandës, shtrëngimi i kontrollit në pika kufitare dhe shtrirja e barrës tatimore te të gjithë.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nesër mund të thirret mbledhja për të vazhduar me caktimin e seancës së Kuvendit për ta votuar buxhetin.

“Ne kemi numrat në Kuvend, kemi ende shumicën me gjithë lëvizjet e fundit që kanë ndodhur. Gjithsesi besoj se Ligji për Buxhetin, duke qenë shumë i rëndësishëm për qytetarët e vendit, nuk do të bëhet pjesë e betejës politike apo fushatës zgjedhore, sepse është ligj që duhet patjetër të kalojë në mënyrë që të ketë vazhdimësi në funksionimin e shtetit”, ka thënë ai.

SHARE