IZRAELI NDALOI AGJENCINË E OKB ME NDIHMAT PËR REFUGJATËT PALESTINEZË, REAGON SHBA: RREZIKON SIGURINË E GJITHË RAJONIT

Me miratimin e një ligji që i ndalon aktivitetin në Gaza agjencisë së OKB-së UNRWA, e cila ndihmon refugjatët palestinezë, Izraeli hodhi një hap që për kreun e Kombeve të Bashkuara do të ketë pasoja shkatërrimtare për territorin e gjunjëzuar nga konflikti.

“Një nismë e tillë do të ketë pasoja të tmerrshme. Nëse ky ligj vihet në jetë, ai do të dëmtojë jo vetëm zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, por edhe paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit në tërësi”, u shpreh Antonio Guterres.

Ligjvënësit që hartuan ligjin cituan ngritën pretendimin e përfshirjes së punonjësve të UNRWA-s në sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit dhe faktin që punonjës të saj ishin anëtarë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura. Ligji ka alarmuar jo vetëm OKB-në por edhe disa nga aleatët perëndimorë të Izraelit, të cilët druhen se kjo masë do të përkeqësojë më tej situatën e rëndë humanitare në Gazë, ku Izraeli lufton prej një viti kundër militantëve të Hamasit.

“Ne do të vazhdojmë ta nxisim qeverinë izraelite që ta ndalojë implementimin e këtij legjislacioni. I bëjmë thirrje që të mos e miratojë fare”, tha Matthew Miller, zëdhënës i DASH.

Parlamenti izraelit ka miratuar dy ligje që u ndalojnë autoriteteve shtetërore izraelite të kenë çdo kontakt me UNRWA, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë ndaj Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Mesme. Përveç kësaj, UNRWA duhet të ndalojë punën e saj në Izrael vitin e ardhshëm.

SHARE