Sulmet izraelite në Luginën Bekaa të Libanit gjatë natës lanë pas vetes më shumë se 60 të vrarë në një duzinë qytetesh, tha guvernatori i qarkut të martën, në atë që duket të jetë dita më vdekjeprurëse në zonë në më shumë se një vit armiqësish.
Punonjësit e shpëtimit po nxirrnin trupat nga rrënojat, mëngjesin e së martës.
Izraeli ka shtuar sulmet e tij ajrore në gjithë Libanin gjatë muajit të fundit, duke thënë se po vë në shënjestër grupin e armatosur libanez Hezbollah. Zyrtarët libanezë, grupet e të drejtave të njeriut dhe banorët e qyteteve të prekura thonë se sulmet po kryhen pa dallim.
Asnjë urdhër evakuimi nuk u dha për asnjë nga qytetet e goditura gjatë natës. Guvernatori i qarkut Bachir Khodor, tha se 67 njerëz u vranë dhe më shumë se 120 u plagosën, ndërsa numri i të vdekurve pritet të rritet.
“Këta janë vetëm njerëzit që u nxorën nga rrënojat dhe ne ende nuk e kemi numrin përfundimtar. Kjo është dita më e dhunshme për rajonin Baalbek në vitin e fundit”, i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters.
Numri përfshin nëntë të vrarë në qytetin Ram, tha kryebashkiaku i tij Nazih Noun, duke theksuar se në mesin e tyre janë një grua dhe katër fëmijët e saj.
Zona të mëdha të Luginës Bekaa janë fortesa të Hezbollahut.
Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm nga Izraeli për sulmet.