EGJIPTI, ARMËPUSHIM DY DITOR NË GAZA, OKB: E GJITHË POPULLATA NË RREZIK PËR JETËN

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, propozoi një armëpushim dyditor në Gaza, me shpresën që më tej të arrihet dhe një pushimzjarri i plotë pas më shumë se një viti lufte mes Izraelit dhe Hamasit.

Propozimi egjiptian parashikon këmbimin e katër pengjeve izraelite të mbajtur nga militantët në Gaza me të burgosur palestinezë në burgjet izraelite, dhe më pas, gjatë ditëve në vijim, të ketë negociata për vazhdimin e armëpushimit, ndoshta me kushte të tjera.

“Ndërprerja 48 orëshe e luftimeve dhe shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve do të pasohet nga 10 ditë bisedimesh, me shpresën që negociatorët në fund, të lëvizin drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje”, tha Abdel Fattah el-Sisi, president i Egjiptit.

Ndërhyrja e El Sisit vjen në kohën kur Izraeli ka vazhduar ta godasë territorin palestinez, ndërsa nuk ka reshtur as shënjestrimin e Hezbollahut në Liban.

Të shtunën po ashtu, shteti hebre ndërmori sulme ajrore edhe kundër armikut të përbetuar, Iranit, të cilat u panë si forme hakmarrjeje e tij ndaj sulmit Iranian me raketa në fillim të muajit. Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare thotë sakaq se “e gjithë popullsia e Gazës veriore rrezikon vdekjen”, teksa Izraeli vazhdon operacionet intensive ushtarake në zonë.

“Qindra palestinezë thuhet të jenë vrarë, dhjetëra mijëra të tjerë janë detyruar të shpërngulen përsëri”, thuhet në një deklaratë të nënsekretares së përgjithshme të kësaj agjencie, Joyce Msuya.

“Spitalet janë goditur dhe punonjësit e shëndetësisë janë ndaluar. Qendrat e strehimit janë boshatisur dhe djegur, vazhdon ajo, duke shtuar se “familjet po ndahen dhe burra e djem në enklavë, po merren me kamionë”.

SHARE