Mali i Zi iu bashkua Rrjetit „Blue Dot Network“ (BDN) gjatë vizitës zyrtare të zëvendëskryeministrit për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, në Uashington.
Gjeloshaj dhe ushtruesja e detyrës së ndihmës sekretares së Byrosë për Çështjet Ekonomike dhe Biznesore të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Amy Holman, shkëmbyen letra për anëtarësimin e Malit të Zi në rrjetin „Blue Dot Network“.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik njoftoi se pjesëmarrja e Malit të Zi në këtë rrjet është një konfirmim i angazhimit të tij për tërheqjen e investimeve që respektojnë standardet ndërkombëtare për cilësi dhe infrastrukturë të qëndrueshme.
“Anëtarësimi demonstron përkushtimin e Malit të Zi për ndërtimin e infrastrukturës që përfiton komunitetet lokale dhe respekton parimet e qëndrueshmërisë, si dhe vendosjen e masave të forta kundër korrupsionit dhe praktikave transparente dhe gjithëpërfshirëse të biznesit,” thuhet në njoftim.
„Blue Dot Network“ është një partneritet shumëpalësh midis disa vendeve, duke përfshirë Australinë, Republikën Çeke, Japoninë, Spanjën, Zvicrën, MB dhe SHBA, dhe është zhvilluar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
“Qëllimi kryesor i saj është të mbështesë investimet e sektorit privat në projekte infrastrukturore duke ofruar garanci se projektet e certifikuara janë të cilësisë së lartë dhe në përputhje me standardet globale për mjedisin dhe përgjegjësinë sociale”, përfundon njoftimi.