Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka takuar shefin e sapoemëruar të zyrës përfaqësuese të UNICEF-it në Mal të Zi, Mikel Servadei.
Në takim u theksua se siguria e fëmijëve dhe lufta kundër dhunës ndaj fëmijëve, veçanërisht dhunës së bashkëmoshatarëve, kërkon një qasje serioze dhe gjithëpërfshirëse nga të gjithë aktorët.
“Siguria e fëmijëve tanë duhet të jetë prioritet. Lufta kundër dhunës së bashkëmoshatarëve kërkon përpjekje të përbashkëta dhe mekanizma më të mirë mbrojtës”, tha presidenti Millatoviq.
“Rekomandimi ynë është që të rritet numri i psikologëve të shkollave dhe punonjësve socialë në mënyrë që sistemi të ofrojë shërbime mbështetëse më efektive për familjet që përballen me sfida. Gjithashtu, zbatimi i Hulumtimit të ri për gjendjen e të drejtave të fëmijëve dhe të grave në Mal të Zi (MIKS) është vendimtar, sepse të dhënat nga ai i mëparshmi nga viti 2018 tashmë janë të vjetruara. Është e nevojshme të përsëriten në të gjithë vendin programet ekzistuese të praktikave të mira të zbatuara me mbështetjen e UNICEF-it, dhe përmes së cilës zhvillohen aftësitë socio-emocionale të fëmijëve dhe të rinjve dhe ofrohet mbështetje për prindërit. Në këtë mënyrë mund të parandalohet dhuna dhe kur të ndodhë sistemi mund t’i përgjigjet në mënyrë adekuate”, tha Servadei.
Presidenti theksoi gjithashtu se lufta kundër varfërisë së fëmijëve është një nga çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet Mali i Zi.
Si një nga masat e mundshme për të ndihmuar familjet më të rrezikuara, ai tha se duhet të mendohet për rritjen e shtesave për fëmijët në periudhën e ardhshme.