Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, mori pjesë në Samitin e Tretë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë, të mbajtur në Riga, në Republikën e Letonisë, më 23 dhe 24 tetor 2024.
Me këtë rast, Camaj mbajti një fjalim në të cilin tha se Mali i Zi ofron mbështetje të pakushtëzuar për ruajtjen e sovranitetit politik, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Ai ka bërë të ditur se Mali i Zi, si një anëtar i besueshëm i NATO-s, kontribuon në zgjidhjen e çështjes së Ukrainës përmes këtij formati shumëpalësh.
Ai tha se Mali i Zi, si vend lider për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është plotësisht në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, dhe gjithashtu konfirmoi mbështetjen e tij për Ukrainën në Parlament, duke miratuar Rezolutën në lidhje me agresionin ushtarak të Federatës Ruse kundër Ukrainës.
Nënkryetari Camaj i njoftoi pjesëmarrësit e Samitit se Mali i Zi ishte vendi i parë jashtë Bashkimit Evropian që miratoi Vendimin që mundëson mbrojtjen e përkohshme të personave nga Ukraina, si dhe lehtësimin e hyrjes së tyre në vend për arsye humanitare.
Në fund, nënkryetari Camaj shprehu ngushëllimin e tij për të gjitha humbjet tragjike me të cilat po përballet populli ukrainas dhe shtoi se shpreson që së shpejti të arrihet një armëpushim dhe të vendoset paqja e përhershme.
Në margjinat e Samitit, nënkryetari Camaj pati një sërë takimesh dypalëshe me kryetarët dhe nënkryetarët e parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse.