Nisma e fundit për futjen e Ligjit për agjentët me ndikim të huaj do të ishte një sulm ndaj sektorit civil dhe një praktikë retrograde që tregon se tendencat në vend po shkojnë në drejtimin e gabuar.
Kështu ka bërë të ditur presidenti i shtetit Jakov Millatoviq gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit civil.
Ai vuri në dukje se demokracia nuk është një “rrugë qorre” dhe se të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre në mënyrë që Mali i Zi të përparojë me të vërtetë si shoqëri në rrugën evropiane.
Millatoviq pohon se dobësitë sistemore që duhet të eliminohen në periudhën e ardhshme janë: miratimi i ligjeve pa diskutim publik dhe konsultim me publikun profesional, politizimi i institucioneve përmes kornizës ligjore, mungesa e reformës në administratën publike dhe gjyqësor, emërimet dhe shkarkimet e paligjshme, përkeqësimi i marrëdhënieve me Kroacinë, masat populiste ekonomike, zgjedhjet lokale të papërfunduara në komunën e Shavnikut dhe mungesa e mbështetjes institucionale në përgjigje të krizave mjedisore dhe situatave emergjente.
Përfaqësuesit e sektorit civil vlerësuan se Mali i Zi është në një krizë të madhe, para së gjithash demografike, sepse regjistrimi ka treguar trende shqetësuese se popullsia po plaket dhe se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë larguar nga vendi.
Ata paralajmëruan se në vend që të mblidhen rreth një qëllimi të përbashkët – hyrjes së vendit në Bashkimin Evropian, ka një polarizim të thellë të shoqërisë rreth çështjeve identitare, kombëtare dhe fetare, me forcimin e të gjitha llojeve të dhunës në vend.