Institucionet në Kosovë do të presin partnerët ndërkombëtarë të bëhen gati për hapjen e Urës mbi Lumin Ibër.
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi të mërkurën tha se sa i përket institucioneve vendore, gjithçka është gati.
„Ne jemi gati që ura të hapet, s’kemi argument para vetes që na bën të besojmë se ura s’duhet të jetë e hapur. Po presim edhe partnerët tanë të jenë të gatshëm për hapjen e urës. Ata kanë paraqitur se siguria është një nga hezitimet, është pikëpamja e tyre për hapjen e urës. Ne si institucione të Republikës së Kosovës jemi gati. Besojmë plotësisht se nuk ka asnjë arsye që ura të mos hapet,“ tha ministri.
Krasniqi beson se nuk ka mundësi për elemente çrregulluese që mund të pasonon me hapjen e urës.
„Besojmë fuqishëm se s’ka kapacitete të elementeve çrregulluese brenda Republikës së Kosovës që mund të krijonin situata që të mos mund të menaxhohen nga institucionet tona të sigurisë,“ theksoi ai.
Ministri i Pushtetit Lokal ka folur edhe sa i përket mbylljes së objekteve të strukturave paralele në veri.
Ai ka thënë se në Kosovë s’ka asnjë vend për institucione paralele dhe se do të mbyllen të gjitha.