BLINKEN THOTË SE “TANI ËSHTË KOHA” PËR T’I DHËNË FUND LUFTËS NË GAZË

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka bërë thirrje të mërkurën Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani kundër të cilave po lufton në Gazë dhe Liban, për të arritur armëpushim, pasi ushtria izraelite tha se e vrau një zyrtar të lartë të Hezbollahut.

Zyrtari i vrarë thuhej se do të emërohej lider i ri i Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon jugun e Libanit.

“Tani është koha t’i shndërrojmë këto suksese në një sukses strategjik afatgjatë”, tha Blinken për gazetarë në Jordani të mërkurën, pak para nisjes për në Arabinë Saudite.

Blinken është në një turne në rajon për bisedime për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës.

“Përqendrimi duhet të jetë te kthimi i pengjeve, përfundimi i kësaj lufte dhe një plan i qartë për atë që vjen më pas”, tha Blinken më 23 tetor.

Asnjëra palë, megjithatë, nuk duket e gatshme, të paktën publikisht, të shfrytëzojë atë që Blinken dhe të tjerët e shohin si mundësi.

Vetëm disa orë para se të fliste Blinken, ushtria izraelite rrëzoi një ndërtesë në një periferi të Bejrutit që tha se strehonte objekte të Hezbollahut. Në fundjavë Qeveria izraelite tha se shtëpia e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu u dëmtua nga një sulm me dron.

Ndërkohë, Hamasi vazhdon të mos pranojë t’i lirojë pengjet e mbetura që mban, pa e ndaluar Izraeli luftën në Gazë.

SHARE