Nga sheshi i Shën Pjetrit, aty ku u drejtohet besimtarëve katolikë, Ati i Shenjtë foli për luftërat në botë dhe theksoi vuajtjet të cilat po kalon populli i Palestinës.
“Sot në mëngjes, u njoftova për numrin e të vrarëve në Ukrainë. Është e tmerrshme. Lufta nuk fal. Lufta është një humbje që në nisje. Le t’i lutemi Zotit për paqe në mënyrë që ai të na e sjellë atë. Mos të harrojmë Palestinën e cila po vuan sulme çnjerëzore. Mos të harrojmë Izraelin dhe të gjitha ato vende në botë që janë në luftë”.
Gjatë fjalës së tij Ati i Shenjtë dënoi gjithashtu shitjet e armëve dhe investimet në armatime.
“Ka diçka vëllezër dhe motra, që duhet të na trembë. Investimet më fitimprurëse sot janë në fabrikat e armëve që bëjnë para me vdekjen. Le të lutemi për paqe të gjithë së bashku.”
Edhe më herët Papa Françesku ka bërë thirrje për fundin e luftës në Gaza dhe ka propozuar si zgjidhje për konfliktin atë me dy shtete një zgjidhje sipas së cilës Izraeli do të bashkëjetonte me një shtet të pavarur palestinez.
Një zgjidhje e tillë u la në plan të dytë që kur përpjekja e fundit e udhëhequr nga Amerika në bisedimet e paqes dështoi në vitin 2014, mes mosmarrëveshjeve për vendbanimet izraelite, lirimin e të burgosurve palestinezë dhe çështje të tjera.