SPAJIQ: MALI I ZI DO TË JETË NJË VEND KU DO TË VINI, JO PREJ TË CILIT DO TË LARGOHENI

Mali i Zi do të jetë një vend ku do të vini dhe jo një vend prej të cilit do të largoheni, tha kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq në konferencën për ekonominë në Budva.

Tema e një prej ngjarjeve më të rëndësishme ekonomike në rajon, e cila për të 13-in vit ka bashkuar vendimmarrës, biznesmenë të njohur, ekspertë ekonomikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, është “Dekada e Procesit të Berlinit”.

“Ne po bëjmë gjithçka për të përmirësuar me shpejtësi standardin e qytetarëve tanë, ndërkohë që kujdesemi që të gjitha reformat t’i japin shtysë rritjes ekonomike, të jenë stimuluese për ekonominë dhe të qëndrueshme kur bëhet fjalë për financat publike”, tha kryeministri.

Sipas tij, procesi i Berlinit do të jetë i suksesshëm kur narrativa për të ardhmen e tij të zëvendësohet me narrativën për veprimet tona brenda Bashkimit Evropian.

„Me fjalë të tjera, kur të gjithë ne të mbledhur këtu, sipërmarrës dhe biznesmenë, të flasim për sfidat dhe trendet brenda Tregut Unik, pjesë e së cilës do të bëhemi me të drejta të plota ndërkohë”, tha Spajiq.

Nina Drakiq theksoi rëndësinë e procesit të Berlinit për lidhjen ekonomike, infrastrukturore dhe politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

“Procesi i Berlinit përfaqëson një platformë që na lejon të punojmë në mënyrë sinergjike për të krijuar një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të lidhur dhe më të begatë. Përmes përpjekjeve të përbashkëta, ne mund të sigurojmë që qytetarët tanë të kenë një të ardhme më të mirë, që ekonomitë tona të jenë më rezistente ndaj sfidave globale dhe që rajoni të jetë më afër Bashkimit Evropian”, përfundoi Drakiq.

SHARE