BEGAJ: BeH DHE SHQIPËRIA DO TË PUNOJNË PËR HAPJEN E AMBASADAVE NË TIRANË DHE SARAJEVË

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj mbërriti në vizitë zyrtare dyditore në Bosnjë e Hercegovinë (BeH).

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Denis Beqiroviq falënderoi miqtë e tij nga Republika e Shqipërisë për ndihmën që i dhanë Bosnjë e Hercegovinës në vitet dhe dekadat e mëparshme, veçanërisht për ndihmën pas përmbytjeve që goditën së fundmi BeH-në si dhe për mbështetjen e miratimit të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka vendosur që vizita e tij e parë në rajon të jetë në Bosnjë e Hercegovinë. Mendoj se ky është mesazh i rëndësishëm dhe i mirë që i afron më tej dy vendet tona. Është shumë e rëndësishme që ne të themi shumë qartë sot se për Bosnjë e Hercegovinën, kur bëhet fjalë për rajonin, Shqipëria është aleate dhe mike strategjike”, tha Beqiroviq.

Ai theksoi se u diskutua për nevojën e intensifikimit të lëvizjeve që kontribuojnë në një lidhje më të mirë komunikimi midis Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë.

“Në këtë kuptim dhe në këtë takim thashë se është shumë e rëndësishme që autoritetet shtetërore të BeH-së dhe Shqipërisë të intensifikojnë, së bashku me miqtë tanë nga Mali i Zi, të krijojnë komunikim modern në relacionin Sarajevë – Podgoricë – Tiranë”, tha Beqiroviq.

Pas takimit me anëtarët e Presidencës së BeH-së, Begaj tha se të dy vendet gëzojnë marrëdhënie tradicionalisht miqësore.

Ai vuri në dukje se pakica boshnjake jeton në Shqipëri që nga kohërat e lashta, ashtu si në BeH ekziston “komuniteti shqiptar i mirëintegruar dhe i respektuar, i cili përbëhet nga punëtorë, artizanë, tregtarë, avokatë, artistë, mjekë, ushtarë, inxhinierë, farmacistë, gazetarë dhe shumë biznesmenë”.

Ai vlerësoi se dy vendet ndajnë të kaluarën e përbashkët rajonale dhe synojnë të ardhme të përbashkët brenda Bashkimit Evropian, i cili siç tha ai, është alternativa e vetme për një jetë më të mirë për qytetarët e BeH-së dhe Shqipërisë.

“Ne i përkasim asaj familjeje gjeografikisht, por ndajmë edhe të njëjtat vlera. Në takimin e sotëm konfirmova edhe një herë gatishmërinë e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit politik dhe diplomatik. Gjithashtu shpreha mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH-së si dhe përparimin e BeH-së në rrugën euro-atlantike. Rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të përballet me kërcënime reale për sigurinë dhe stabilitetin. Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha Begaj.

Presidenti shqiptar potencoi rëndësinë e vendosjes së një linje ajrore midis Sarajevës dhe Tiranës dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përfshirë autostradën Adriatiko-Joniane.

SHARE