Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen nis këtë javë një tur në Ballkanin Perëndimor që e ka pikënisjen në Tiranë, më 23 nëntor, në po të njëjtën ditë kur deputetët demokratë do të jenë në Parlamentin Europian si vijim i aksionit opozitar që i ka themelet tek hetimet dhe vendimet e drejtësisë për eksponentë politikë, dhe që ka për kërkesë kryesore vendosjen e një qeverie teknike para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Burime bëjnë me dije se axhenda e presidentes së komisionit europian në Tiranë fillon me një takim me kryeministrin Edi Rama që fillon në orën 15.
Pas bisedës me dyer të mbyllura, do të ketë një deklaratë të përbashkët për shtyp mes Ramës dhe Von Der Leyen.
Vizita e saj në Shqipëri, vjen pak ditë pas mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare ku u çelën negociatat për grupkapitullin e themeloreve.
Më pas në orën 17:00, presidentja e komisionit europian do të ketë një fjalim me rastin e çeljes së vitit të ri akademik në Kolegjin e Europës në Tiranë.
Takimi me presidentin e republikës, Bajram Begaj është planifikuar për më 24 tetor, dhe fill pas këtij takimi, Ursula Von der Leyen do të udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut, ku po atë ditë do takohet me kryeministrin dhe presidenten e vendit.
Qëndrimi në Shkup do të zgjasë vetëm pak orë, pasi më 24 tetor sipas axhendës zyrtare të Von Der Leyen është planifikuar edhe qëndrimi në Jablanicë të Bosnjë dhe Hercegovinës ku do vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet.
25 tetori rezervon takim me kryetaren e këshillin të ministrave në Bosnjë dhe Hercegovinë, Borjana Kristo dhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçic.
Turi ballkanik përmbyllet në Kosovë dhe Mal të Zi, ku më 26 tetor presidentja e Komisionit Europian do të takohet ndër të tjera me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.