RUTTE: MOSKA MUND TË JETË E ZHURMSHME, POR NATO ËSHTË E FORTË

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi se Rusia vazhdon të përbëjë një “kërcënim të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë” për sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s dhe presidenti i saj Vladimir Putin “po përdor një retorikë gjithnjë e më të papërgjegjshme”, raporton Anadolu.

“Moska mund të jetë e zhurmshme, por NATO është e fortë. Në një botë më të pasigurt, është jetike që ne të vazhdojmë të modernizojmë aftësitë tona dhe të stërvitemi së bashku për të mbajtur të fuqishme forcat tona konvencionale dhe bërthamore”, tha Rutte në një konferencë për media pas përfundimit të takimit dy-ditor të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s.

Rutte përsëriti angazhimin afatgjatë të NATO-s për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Aleanca duhet të krijojë Komandën e Ndihmës së Sigurisë dhe Trajnimit të NATO-s për Ukrainën në muajt e ardhshëm, me synimin për të ofruar 40 miliardë euro mbështetje ushtarake deri në vitin e ardhshëm.

Takimet e NATO-s u fokusuan gjithashtu në mbrojtjen ajrore dhe raketore.

Rutte tha se në përgjigje të kërcënimeve në rritje, aleatët kanë rritur mbikëqyrjen dhe koordinimin, duke rritur ndjeshëm praninë e NATO-s në krahun e saj lindor.

Ai shtoi se aleatët janë zotuar gjithashtu për të blerë mijëra sisteme të mbrojtjes ajrore dhe artileri, si dhe qindra avionë luftarakë të avancuar, duke përfshirë F-35 të gjeneratës së 5-të.

Një rezultat kyç i takimeve ishte shpallja e një nisme të re standardizimi të NATO-s.


Kjo përpjekje synon të përshpejtojë zhvillimin dhe zbatimin e standardeve të NATO-s, veçanërisht në fushën e aftësive inovative ushtarake, duke ndihmuar gjithashtu në uljen e kostove të mbrojtjes.

“Ne duhet të shfrytëzojmë maksimalisht aftësinë tonë unike për të vepruar së bashku, të 32 ne, sepse kjo është ajo që i jep Aleancës tonë forcë përtej shumës së pjesëve të saj”, tha Rutte.

SHARE