TENSIONE NË PROTESTËN PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË DHE BASHKISË SË TIRANËS

Protesta e sotme para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë dhe selisë së Bashkisë së Tiranës është shoqëruar me tensione dhe përplasje me efektivët e policisë, raporton Anadolu.

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës” dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Protesta e radhës është organizuar sërish nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë para selisë së Bashkisë së Tiranës, me pjesëmarrjen e dhjetëra qytetarëve.

Deputeti i PD-së, Tomor Alizoti, në fjalën e tij në protestën para Bashkisë së Tiranës, ku u mblodhën fillimisht protestuesit u shpreh se gjithë demokratët duhet të mobilizohen.

“Kontribuoni në opozitarizëm. Opozitarizmi nuk është pronë e Partisë Demokratike, por është një lëvizje e të gjithë shqiptarëve”, tha Alizoti, duke iu drejtuar protestuesve.

Zëvendëskryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij iu ka bërë thirrje protestuesve që ta “mbajnë të ndezur protestën popullore dhe rezistencën qytetare”.

“Vetëm me rezistencë, me mosbindje civile dhe me çdo mjet demokratik, ne mund të ia dalim në qëllimin tonë të përbashkët: rikthimin e Shqipërisë në normalitet”, tha Teliti.

Disa nga protestuesit dogjën goma, ndërkohë për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore para godinës së Bashkisë së Tiranës.

Pas fjalimeve, protesta u zhvendos para sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku u shënuan përplasje mes policisë dhe postuesve dhe deputetëve të PD-së.

Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës” dhe disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.

SHARE