CAMAJ: NJË PUNË E MADHE STATISTIKORE KOMBËTARE PËRFUNDOI ME SUKSES

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, me rastin e publikimit të rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë 2023 në Mal të Zi, tha se është mirë që puna e madhe statistikore kombëtare ka përfunduar me sukses.

Nënkryetari Camaj vuri në dukje faktin se përballë Malit të Zi, në periudhën e ardhshme, është një detyrë serioze që është vënë në dukje sot, pikërisht me të dhënat demografike, veçanërisht në lidhje me nëntë komunat malazeze në veri, të cilat ishin në kategorinë me moshën më të thellë demografike.

„Është shqetësues fakti që Mali i Zi po plaket, është shqetësuese që fshatrat kanë gjithnjë e më pak banorë,“ theksoi Camaj dhe shtoi se kur bëhet fjalë për strukturën kombëtare, të dhënat e MONSTAT-it pasqyrojnë realitetin. Ai shtoi se ndonjëherë nuk është e lehtë të shpjegohet dallimi në përqindje ndërmjet kombësisë dhe gjuhës që flet një komb i caktuar.

„Si anëtar i Komisionit për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes për kushtet për mbajtjen e Regjistrimit të Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave, si dhe monitorimit të realizimit të procesit të Regjistrimit, jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën dhe profesionalizmin. Tashmë është detyrë e të gjithëve që të rregullojmë kushtet e jetesës në bazë të shifrave që kemi marrë nga Regjistrimi, të cilat janë tregues i qartë se ku duhet bërë një përpjekje e veçantë për rivitalizim,“ tha Camaj.

Në fund, nënkryetari Camaj ritheksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që është përfunduar Regjistrimi i Popullsisë dhe se të dhënat do të shërbejnë për shqyrtim serioz dhe përgjigje adekuate nga autoritetet për mirëqenien e të gjithë atyre që jetojnë në Mal të Zi.

SHARE