SPAJIQ: MIRATIMI I LIGJEVE ËSHTË PARAKUSHT PËR MBYLLJEN E KAPITUJVE

Miratimi i djeshëm i ligjeve në Parlamentin e Malit të Zi krijoi parakushte për mbylljen e kapitujve të negociatave, theksoi kryeministri Millojko Spajiq.

“Deri në fund të vitit, pas një pritje të gjatë do të mbyllim katër prej tyre. Po afrohemi me Bashkimin Evropian”, ka thënë Spajiq në një postim në rrjetin X.  

Të rikujtojmë se, dje Kuvendi i Malit të Zi ka ri-miratuar Ligjin për Komunikimet Elektronike, si dhe ndryshimet në Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Për Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe amendamentet shoqëruese votuan 53 deputetë, ndërsa dy amendamentet e propozuara nga deputetët e Lëvizjes Qytetare URA nuk morën dritën jeshile.

Ndryshimet në Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta u miratua me 54 vota të deputetëve, të gjithë “për”.

Ligji i Komunikimeve Elektronike rregullon atë sektor dhe qëllimi është të arrihet pajtueshmëria me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe të mbyllet kapitulli i dhjetë.

Me këtë Ligj, ndryshon edhe mënyra e zgjedhjes së Këshillit të Agjencisë për Komunikim Elektronik dhe Veprimtari Postare.

Me miratimin e dy ligjeve – për Komunikimet Elektronike dhe ndryshimet në Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Mali i Zi ka bërë një hap përpara në qëllimin e tij strategjik – harmonizimin me legjislacionin evropian, – tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj.  

SHARE