Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka uruar Ditën e Ushtrisë së Malit të Zi dhe me atë rast ka mbajtur një pritje zyrtare në rezidencën në Cetinë, ku ka dorëzuar vendimet për gradimin në gradën oficer për 15 kadetë meshkuj dhe femra, njofton zyra e presidentit.
“Kjo ditë festive duhet të na kujtojë betejat dhe luftërat e shumta në të cilat brezat e të parëve tanë, të etur për liri, ruajtën vendin nga një armik që shpesh ishte më i madh në numër dhe më i fortë për sa i përket armëve. Nga shembujt e tyre të ndritur, mund të shihnim se liria kërkon sakrificë, këmbëngulje, qëndrueshmëri, forcimin e ndjenjës kolektive të krenarisë, nderit dhe dinjitetit. Ajo zgjon në breza nevojën për të mbrojtur të fituarit me mund dhe krijon një detyrim për të mos harruar kurrë sakrificat e bëra për lirinë. Sepse ne e dimë se jemi aq të mëdhenj sa kemi respekt për të kaluarën, por po aq sa kemi aftësinë për të ndërtuar të ardhmen dhe për të krijuar vlera të reja. Prandaj, pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi kanë për obligim që, si të parët mes të barabartëve, të ruajnë vlerat e fituara ndër shekuj, dhe me punën e tyre të përkushtuar dhe qëndrimin profesional ndaj detyrave dhe detyrimeve, siç pritet nga ushtarët, të jenë garantuesi i paqes dhe stabilitetit. Në Mal të Zi dhe jashtë saj”, tha Millatoviq.