Konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme e largojnë fokusin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Ballkani Perëndimor dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që liderët politikë nga rajoni të kryejnë pjesën e tyre të punës në mënyrë që vendet të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur, tha ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker.
Volker në një intervistë për agjencinë MINA tha se Rusia po e përdor situatën, duke u përpjekur të zgjerojë ndikimin e saj dhe të minojë qeveritë, partitë politike dhe akterët properëndimorë në Ballkan.
Ai theksoi se Ballkani Perëndimor është ende rajon i paqëndrueshëm dhe se, siç tha ai, është e rrezikshme që në Qeverinë e Malit të Zi të ketë parti që sjellin në pyetje orientimin perëndimor të vendit.
I pyetur se për momentin, sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për NATO-n dhe SHBA-të, duke pasur parasysh konstelacionin e marrëdhënieve dhe sfidave në skenën ndërkombëtare, Volker vuri në dukje sfidat në rritje me të cilat po përballen SHBA-të në lidhje me interesat strategjike amerikane në Evropë dhe në botë.