INSPEKCIONI SHQIPTON PËR TREGTARËT GJOBA NË VLERË PREJ 60.500 EURO

Që nga fillimi i aksionit të Qeverisë për kufizimin e marzheve, Inspekcioni u ka shqiptuar tregtarëve gjoba prej 60 mijë e 500 euro për mosrespektim të atij vendimi.

E ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik pretendon se ky aksion ka kontribuar në stabilizimin e çmimeve, qytetarët nuk janë edhe aq të sigurt.

Një mijë artikuj nga 66 kategori produktesh, në të cilat marzhi është i kufizuar, mund të gjenden në raftet e dyqaneve që një muaj. Ai aksion, siç thonë ata, ka sjellë kursime në buxhetin e disa qytetarëve, ndërsa të tjerë thonë se nuk kanë vërejtur ulje çmimesh.

Pavarësisht komenteve të ndryshme të qytetarëve, Sindikata vlerëson se aksioni ka ndikuar në mbrojtjen e standardit jetësor të më të varfërve.

Edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik pretendon se mund të kursehet duke blerë produktet për të cilat zbatohet aksioni. Edhe pse nuk kanë ende të dhëna të sakta, janë të kënaqur me efektet e arritura.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se ky vendim ka ndikuar në stabilizimin e çmimeve në treg dhe ka sjellë uljen e çmimeve të produkteve të përfshira në vendim. Pra, duke blerë artikuj të shënuar me etiketën “Çmime të limituara”, mund të arrini kursime vërtet të mëdha për çdo familje individuale në Mal të Zi”, thotë Jasna Vujoviq, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

SHARE