QEVERIA E KOSOVËS I RRIT PENSIONET PËR 20 PËR QIND

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë bërë të ditur se nga ky muaj do të rriten pensionet për disa kategori të pensionistëve me 20 për qind, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media në Qeverinë e Kosovës, kryeministri Kurti, tha se situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i kthehet ritmit të filluar pas pandemisë. Sipas Kurtit, në një situatë të tillë mund të bëhet planifikim më i qëndrueshëm buxhetor dhe rrjedhimisht u mor vendimi për rritjen e pensioneve.

“Duke filluar nga ky muaj, pra, muaji tetor 2024, do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si vijon: pensioni bazik i moshës, pensioni kontribut-pagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe të rritur, pensioni për personat e verbër, pensioni për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, pensioni familjar, pensioni ivalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, theksoi Kurti.

Ai tutje tha se nga muaji janar do të ketë rritje për 20 për qind edhe për pensionet e përcaktuara në Ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

– “Nga kjo rritje do të ndikohen 304 mijë e 16 përfitues”

Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se nga kjo rritje do të ndikohen 304 mijë e 16 përfitues dhe se ndikimi në buxhet i kësaj rritjeje do të jetë 100 milionë euro shtesë.

Rritja e fundit e pensioneve në Kosovë ishte bërë në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilën Qeveria e miratoi gjatë kohës së pandemisë së COVID-19.

SHARE