AMBASADORJA E SHBA-së: MALI I ZI TË FOKUSOHET NË REFORMAT DHE MBYLLJEN E KAPITUJVE

Mali i Zi tani duhet të fokusohet në reformat dhe mbylljen e kapitujve të negociatave deri në vitin 2026 dhe nuk duhet të ketë çështje që e devijojnë fokusin e tij nga ky synim, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Podgoricë, Judy Rising Reinke.

Ajo e tha këtë në forumin „To be secure“ (2BS) në Budva, i cili u organizua nga Aleanca Atlantike e Malit të Zi (AAMZ), dhe shtoi ata besojnë se Mali i Zi është anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian (BE).

SHBA-të, siç tha Rejnke, nuk janë të vetmet që mbështesin përparimin e Malit të Zi në rrugën e integrimit në BE.

Ajo theksoi rëndësinë e marrjes së Raportit për Vlerësimin e Përmbushjes së Standardeve të Përkohshme (IBAR).

“Tani që vendi duhet të përqendrohet në mbylljen e kapitujve deri në vitin 2026, nuk duhet të ketë çështje që e devijojnë fokusin e tij nga ky qëllim,” tha Reinke.

Ajo tha se SHBA-të janë të shqetësuara për përfshirjen në Qeveri të anëtarëve të cilët njihen për qëndrimet e tyre që nuk janë në përputhje me pikëpamjet e partnerëve të tyre.

“Ky vend tani, më shumë se kurrë, duhet të fokusohet në reforma”, theksoi ambasadorja.

Sipas saj, Qeveria e Malit të Zi do të forcojë stabilitetin ekonomik duke iu afruar BE-së.

Është e nevojshme, siç tha Rejnke, të punohet për pajtimin dhe reformat në Ballkanin Perëndimor për hir të sigurisë së të gjithë rajonit. Ajo theksoi se pajtimi është vendimtar për të gjithë rajonin.

Ambasadorja e SHBA-së në Mal të Zi beson se fuqia e pajtimit është në duart e qytetarëve dhe se çdo qytetar ka mundësi të refuzojë provokimet.

Ajo tha se përhapja e tolerancës është çelësi në Mal të Zi dhe Ballkanin Perëndimor për një të ardhme më të mirë, më të sigurt dhe më të begatë.

Në fund, Rejnke bëri thirrje për tolerancë dhe respekt, duke thënë se këto vlera janë më të forta se armët.

SHARE