LUBJANË / MENAXHIMI INOVATIV I BURIMEVE NJERËZORE PËR TË ARDHMEN E ADMINISTRATËS PUBLIKE

Reforma e administratës publike është komplekse dhe gjithëpërfshirëse, prandaj kërkon sistematikë dhe kompetencë në këtë kuptim, shembujt e praktikës së mirë janë të vlefshëm në veprimet e mëtejshme drejt optimizimit dhe efikasitetit të administratës publike, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

Ai mori pjesë në Konferencën për Menaxhimin Inovativ të Burimeve Njerëzore për të Ardhmen e Administratës Publike: udhëheqja strategjike, planifikimi i burimeve njerëzore dhe kompetencat e ardhshme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit publik, organizuar nga Ministria e Administratës Publike të Republikës së Sllovenisë dhe Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA), në Lubjanë.

Fokusi i Konferencës është menaxhimi në sektorin publik dhe roli kryesor që luajnë strategjitë inovative të menaxhimit të burimeve njerëzore në formësimin e së ardhmes së administratave publike.

“Në margjinat e Konferencës, ministri Dukaj u takua me ministrin e Administratës Publike të Republikës së Sllovenisë, Franc Props, si dhe me ministrin e Administratës Publike të Maqedonisë së Veriut, Goran Minçev. Ky takim ishte gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për takime me ministrat përkatës të Ballkanit Perëndimor dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e reformës së administratës publike me theks në menaxhimin e burimeve njerëzore të administratës publike, përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave me synim forcimin e kapaciteteve administrative, përmirësimin e efikasitetit të institucioneve shtetërore dhe modernizimin e administratës”, thuhet në njoftim.  

SHARE