MALI I ZI KRYESON SAMITIN E INICIATIVËS SË EVROPËS QËNDRORE

Një takim i jashtëzakonshëm i Kryeministrave të vendeve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore do të mbahet të Premten, 15 maj, përmes telekonferencës, të organizuar nga Qeveria e Malit të Zi dhe Sekretariati Ekzekutiv i IEQ, dhe në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të OBSH-së për Evropën, theksuan nga Qeveria.

Në takimin, i cili do të kryesohet nga Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq, do të marrin pjesë kryeministrat e Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Moldavisë, Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga vendet anëtare të IEQ.

Të ftuar specialë, siç njoftohet, do të jenë Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Oliver Varheli, Drejtori i OBSH-së për Evropën Hans Kluge si dhe Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Suma Çakrabarti.

“Në Samit do të diskutohen pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë së re të koronavirusit dhe do të shkëmbehen mendime mbi masat e mundshme për t’i zbutur ato. Krerët e qeverive të shteteve anëtare të IEQ do të miratojnë një deklaratë të përbashkët duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe angazhimin e rajonit për një pamje të unifikuar të pasojave të pandemisë dhe veprimit të përbashkët “, njoftuan nga Qeveria e Malit të Zi.

SHARE