Rreth 200 pjesëtarë të Forcave Aleate të Reagimit (ARF) të NATO-s do të dislokohen në Ballkanin Perëndimor nga 30 shtatori deri më 16 tetor për të kryer stërvitje që synojnë rritjen e gatishmërisë dhe mbështetjen e misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Në një komunikatë për media të KFOR-it, bëhet e ditur se kjo është hera e parë që një njësi e ARF-së po dislokohet, që nga themelimi i saj në korrik 2024.
“Një kontingjent ushtarak prej rreth 50 pjesëtarësh do të jetë në Kosovë dhe një nyje komanduese e përparme prej rreth 150 pjesëtarësh do të vendoset në Maqedoninë e Veriut. Personeli i dislokuar do të kryejë aktivitete stërvitore për të ruajtur nivelin e lartë të gatishmërisë dhe për të testuar aftësitë e tyre. Një pjesë e shtabit të ARF-së do të integrohet përkohësisht në strukturat komanduese dhe kontrolluese të misionit të KFOR-it, me detyrën për të identifikuar kërkesat e mbështetjes logjistike, infrastrukturore dhe operacionale për KFOR-in”, thuhet në komunikatë.
KFOR-i bën të ditur se dislokimi i pjesëtarëve të ARF-së, së bashku me vendosjen e vazhdueshme të Forcës Rezervë Strategjike (SRF) në Kosovë, dërgon mesazh të qartë të vendosmërisë dhe angazhimit të fortë të NATO-s për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, ashtu sikurse edhe për të qenë e gatshme për reagim.
KFOR-i tutje theksoi se ARF është një forcë strategjike, me gatishmëri të lartë, e aftë për shumë fusha.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.